Lancohet projekti i 100 bursave sociale të studimit

Kolegji Universitar Bedër, në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor “Hafiz Ali Korça” fondacion ky i themeluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, zhvilluan sot ceremoninë e lancimit të projektit të 100 bursave sociale të studimit, projekt ky i cili u mundëson dhjetëra maturantëve të këtij viti akademik të studiojnë me bursë deri në 100% të tarifës vjetore të studimit në një nga degët që ky institucion ofron.
 
Në këtë ceremoni, të zhvilluar në ambientet e “Tirana International Hotel”, ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm personalitetesh nga bota akademike, ajo e kulturës, artit, medias, biznesit, arsimit dhe e sportit. Përmendim këtu: Znj. Myfarete Laze, Z. Dritan Boriçi, Noizy (Rigels Rajku) Znj. Sabahete Vishnja, Znj. Briseida Mema, Z. Agron Tufa, Mishela Rapo, Z. Said Fishta etj.
 
Drejtori i Fondacionit arsimor “Hafiz Ali Korça”, Z. Dritan Laçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se i gjithë qëllimi i këtij projekti është mbështetja e të gjithë atyre maturantëve të cilët për shkak të kushteve ekonomike, nuk kanë mundësi të vazhdojnë studimet universitare.
 
“Ne nuk mund të pretendojmë një të ardhme të ndritur, nëse nuk u japim mundësi studentëve që të vazhdojnë universitetin”, tha ai gjatë fjalës së tij.
 
Ndërsa rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet, preku problematika të ndryshme të arsimimit të brezave të rinj në vendin tonë.
 
Ndër të tjera ai u shpreh se: “Dikush lind i pasur, dikush lind i varfër, dikush në fshat dhe dikush në qytet. Askush nuk e ka në dorë diçka të tillë. Gjithkush i dorëzohet apo i përshtatet kësaj situate. Ne kemi një mundësi të mendojmë për të gjithë, me aq kapacitete sa kemi”.
 
Më tej, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Z. Lauren Luli, shprehu gatishmërinë e plotë të institucionit që ai përfaqëson jo vetëm në mbështetjen e kësaj nisme por edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet dy institucioneve në projekte që kanë në fokus arsimimin e brezave të rinj.
 
Projektin e 100 bursave sociale të studimit e përshëndetën edhe këngëtarët me famë të njohur në vendin tonë si Znj. Myfarete Laze, Mishela Rapo, Noizy si dhe biznesmeni i njohur Z. Said Fishta, të cilët ndanë me të pranishmit mbështetjen dhe vlerësimin e tyre ndaj kësaj nisme të fondacionit dhe universitetit.
 
Kolegji Universitar Bedër fton të gjithë maturantët e interesuar të bëhen pjesë e këtyre bursave duke aplikuar fillimisht në portalin e maturës shtetërore për një nga programet e studimit që ne ofrojmë.