“Dhuro arsim! Dhuro të ardhme!” është fushata e ndërmarrë nga 28 studentë të Kolegjit Universitar Bedër, në kuadër të lëndës “Konceptim dhe Menaxhim Fushatash”.
Studentët e programeve Master Shkencor në Marrëdhënie Publike dhe Master Profesional në Komunikim Marketingu synojnë të sigurojnë sa më shumë bursa dhe të ardhura për të mbështetur arsimimin e të rinjve jetimë nga mosha 14-18 vjeç. Organizatorët e fushatës gjatë lançimit të saj bënë me dije se ky projekt do të ketë një shtrirje lokale brenda qytetit të Tiranës, por nuk përjashtuan edhe mundësinë e shtrirjes në qytetet kryesore të Shqipërisë.
Pas prezantimit të detajuar të fushatës, duke e nisur nga objektivat, synimet, qëllimi, pritshmëritë, ata u ndalën edhe tek aktivitetet, burimet e sigurimit të fondeve, etj. Gjatë lançimit të fushatës u prezantuan edhe raste suksesi nga të rinj jetimë, të cilët kanë sakrifikuar shumë për të ecur përpara dhe për të marrë një arsimim të mirë.
Në fund të mbylljes së aktivitetit ata shprehën falenderimet dhe mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti falenderuan pedagogen e lëndës Dr. Edlira Mali. Fushatë po pritet mjaft mirë nga të rinjtë, pedagogët, prindërit, bizneset, organizatat, etj.