“Sfidat e gazetareve gra në redaksi”

Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër zhvilloi dje një leksion të hapur mbi “Sfidat e gazetareve gra në redaksi”, ku e ftuar ishte Profesoresha e gazetarisë në Univeristetin e Arizonës, Julia Wallace.
 
Ajo diskutoi me studentët dhe vuri theksin në problematikat që kishin hasur gratë në redaksi dhe mënyra sesi ato kanë arritur që pavarësisht gjithckaje të vazhdojnë profesionin e tyre. Prof. Julia e ilustroi leksionin me disa intervista me gazetare nga më të famshmet të cilat ishin gjendur në diskriminim gjinor si nënshtrimi, mosvlerësim i punës, ofendime, si dhe shumë situata të tjera.
 
“Një nga pikat më të forta të grave është bashkëpunimi, dhe kjo është arsyeja pse gratë janë lidere të mira sepse gjithmonë krijojnë ambjente pune ku mbizotëron kjo lloj fryme”, tha ajo.
 
Julia Wallace prezantoi edhe librin në të cilin ishte bashkëautore “Nuk ka të qarë në redaksi”, një libër që tregon pikërisht për sfidat me të cilat gazetaret janë përballur edhe në redaksitë më me zë në botë.
 
Leksioni gjithashtu u shoqërua edhe me pyetje nga studentët të cilët morën njohuri sesi është situata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me këtë fenomen, duke bërë kështu edhe krahasimin me vendin tonë.